|
FAKULTETI I PSIKOLOGJISË PËRSHKRIMI I FAKULTETIT Psikologët si profesionistë punësohen në të gjitha fushat e funksionimit të shoqërive bashkëkohore si: institucionet e ndryshme parashkollore, shkolla fillore, shkolla të mesme, arsim të lartë, përkujdesje sociale, ente për punësim, shëndetësi, polici, armatë si dhe në institucionet e ndryshme shtetërore. Duke u nisur nga kjo Fakulteti psikologjik pranë universitetit “Dardania” ka disa qëllime parësore,edhe atë: • Aftësim i studentëve që në mënyrë të mëvetësishme të zhvillojnë studime psikologjike, • Të pajisen studentët me dituri nga fusha të caktuara të psikologjisë së aplikuar • Të aftësohen studentët që në mënyrë profesionale tu qasen problemeve nga fusha e psikologjisë • Të aftësohen studentët për të komunikuar në mënyrë profesionale me klientët • Aftësim i studentëve për të kryer detyra në fushën e profesionit të tyre dhe me atë rast tu përmbahen rregullave dhe normave bazë etike etj. PSIKOLOGJI PËRSHKRIMI I DEPARTAMENTIT Studimet universitare në psikologji kanë për qëllim përgatitjen e kandidatit për të marrë titullin Bachelor i psikologjisë. Ky program zgjat gjashtë semestra dhe brenda tij janë harmonizuar lëndët obliguese që ofrojnë njohuri me fokus të ngushtë në psikologji siç janë: perspektivat kryesore teorike në psikologji, metodologjia bazike e hulumtimit dhe vlerat e psikologjisë, si dhe lëndët e tjera nga shkencat shoqërore, të afërta me psikologjinë, që ofrojnë dijeni më të përgjithësuar në shkencë, si logjika, filozofia dhe antropologjia. Gjithashtu, studentët do te kenë mundësinë që njohuritë e marra përmes programit ti zbatojnë në punë praktike, e cila do të mbikëqyret nga psikologët me përvojë. Qëllimi përfundimtar i programit është që studentët të përgatiten me njohuri në nivel solid për të vazhduar studimet e shkalles master në fushat e ndryshme të psikologjisë. Përveç kësaj, programi ofron mundësinë për të zhvilluar shkathtësitë e përgjithshme, siç janë përdorimi i kompjuterit dhe përvetësimi i gjuhës angleze të domosdoshme për tu ballafaquar me zhvillimet më bashkëkohore në botën e shkencës. Ne semestrin e gjashtë të studimit, kërkohet që, përveç lëndëve obliguese, studentët të kryejnë edhe temën e diplomës për Bachelor. Pas kompletimit të studimeve universitare në psikologji për nivelin bachelor, studenti/ja pritet të ketë këto njohuri, shkathtësi dhe vlera: • të zotërojë konceptet kryesore, pikëpamjet teorike, gjetjet empirike dhe trendet bashkëkohore në psikologji; • të jetë në gjendje të aplikojë metodat bazike hulumtuese në psikologji, përfshirë dizajnimin e hulumtimit, analizën dhe interpretimin e të dhënave; • të kuptojë dhe të zbatojë parimet psikologjike në çështjet personale, sociale dhe organizative; • të jetë i/e aftë të peshojë faktet, tolerojë ambiguitetin, të veprojë në mënyrë etike dhe të reflektojë për vlerat e tjera që e karakterizojnë psikologjinë si disiplinë shkencore; • të reflektojë në mënyrë kritike dhe kreative, të jetë i matur në interpretimin e rezultateve të kërkimeve shkencore dhe të ofrojë qasje kreative në zgjidhjen e problemeve të sjelljes dhe të proceseve mendore.
|