
Komandanti i Task Forcës – Lindje Gjenerali amerikan Dagllas Erhart vizitoi Universitetin “DARDANIA”
Komandanti i KFOR-it amerikan në Kosovë, gjenerali Dagllas Erhart me datë 26 tetor 2007 vizitoi Universitetin “DARDANIA”, me ç’rast para studentëve dhe stafit akademik mbajti një ligjeratë debatuese në temën “Roli i lidershipit në shoqërinë demokratike”.
Duke folur rreth rolit amerikan në çështjen e Kosovës, komandanti i KFOR-it amerikan në Kosovë para studentëve dhe profesorëve të Universitetit “Dardania” theksoi se SHBA-të janë të përkushtuara në zgjidhjen përfundimtare të çështjes së Kosovës dhe se nuk ka vendim për tërheqjen e trupave amerikane nga Kosova, e as që ekziston një plan i tillë. Numri një i ushtrisë amerikane në Kosovë në debatin me studentë të Universitetit “Dardania” u shpreh se trupat amerikane në Kosovë janë përkujdesur dhe do të përkujdesen që të shërbejnë për ruajtjen e paqes në sektorin lindor të Kosovës, se do të shërbejnë për mbajtjen e një situate të qetë dhe të qendrueshme, sepse shumica e njerëzve e deshirojnë një gjë të tillë. Gjenerali Dagllas Erhart e ka vlerësuar të qetë situatën e sigurisë në Kosovë, në kohën kur Kosova po afrohet në momentin vendimtar politik të zgjidhjes së statusit.

Gjatë debatit me studentë dhe profesorë të Universitetit “Dardania”, duke komentuar paraqitjet e fundit të disa grupacioneve paramilitare serbe, siq është “Garda e Car Lazarit”, që kërcënohet për destabilizim të situatës në Kosovë, në rast të pavarësisë së Kosovës, komandanti i KFOR-it amerikan gjenerali Dagllas Erhart theksoi se KFOR-i përherë është vigjilentë, se këto grupacione nuk janë forca serioze që mund të rrezikojnë sigurinë në Kosovë, se mund të përballemi me sukses ndaj çfarëdo sfide që ne hasim, prandaj qytetarët e Kosovës mund të flejnë të qetë dhe të shohin vetëm përpara. Ardhmëria e Kosovës para popullatës së re, siq jeni ju studentët, theksoi numri një I ushtrisë amerikane në Kosovë, prandaj kjo është ajo që ju duhet ta keni në horizont. Njerëzit po e respektojnë sundimin e ligjit dhe kjo është një çështje pozitive për sigurinë. Duke u përgjigjur në pyetjet e studentëve rreth mundësisë së tërheqjes së trupave të KFOR-it nga Kosova, komandanti i trupave amerikane në Bondstill, gjenerali Dagllas Erhart theksoi se në Kosovë gjenden 16.000 trupa paqeruajtëse të NATO-s, numër ky që, sipas ushtarakëve të KFOR-it, aktualisht nuk pritet të pësojë ndryshime.